You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » HISTORIA QË FSHIHET PAS QYTETIT TË SHPELLAVE

HISTORIA QË FSHIHET PAS QYTETIT TË SHPELLAVE

lorena-stroka-foto-biografia-wikipedia-libra-instagram-facebook-bashkeshorti-gazetare-pinterest-albstroka-kontakt-blog-kush-eshte-keshillaNga Lorena Stroka

Qyteti mahnitës i shpellave Vardzia ndodhet në Gjeorgji, një vend ku Evropa Perëndimore takohet me Azinë Lindore. Historia e tij fillon pak më shumë se 800 vjet më parë, në fund të shekullit të 12-të, kur filloi ndërtimi i tij.

Në vitin 1185, një grua 25-vjeçare me emrin Tamar, mori përsipër udhëheqjen e Gjeorgjisë. Diçka tejet e rrallë për Evropën e asokohe. Gjatë mbretërimit të Tamarës, vendi lulëzoi dhe banorët e tij ishin të lumtur me mbretëreshën e tyre.Vetëm një vit pas kurorëzimit të saj, Tamar donte të ndërtonte një manastir, në shenjë të besimit të saj të krishterë.

Por kishte një problem,  mongolët, me qendër në Azi, kishin filluar luftërat me popujt fqinjë që kërkonin të zgjeronin perandorinë e tyre. Pra, ata ishin një kërcënim i vazhdueshëm për gjeorgjianët.
Pikërisht për këtë arsye, Mbretëresha Tamar vendosi ta ndërtojë manastirin nëntokë, në mënyrë që të mund të ofrojë strehim për banorët e zonave përreth. Ndërtimi i këtij projekti ambicioz filloi menjëherë, nën malin Erusheli.

U ndërtuan 13 kate, ndërsa shpellat natyrale brenda malit u zgjeruan dhe u shndërruan në më shumë se 6,000 dhoma të cilat ishin të mjaftueshme për të akomoduar si murgjit e manastirit ashtu edhe banorët që do të fshiheshin atje për t’u shpëtuar pushtuesve.

Toka përreth manastirit ishte jashtëzakonisht pjellore, fakt që u siguronte banorëve gjithçka që nevojiteshin. Në të njëjtën kohë, murgjit ndërtuan një rrjet të ndërlikuar shtigjesh nëntokësore për të transportuar ushqim dhe ujë brenda shpellave. Manastiri nëntokësor për rreth 100 vjet arriti qëllimin për të cilin u ndërtua. Ai i mbante vendasit të sigurtë nga Mongolët, pasi e vetmja mënyrë për të arritur atje ishte një tunel nëntokësor duke filluar nga një lumë afër, të cilin natyrisht sulmuesit nuk e zbuluan kurrë.

Për fat të keq, fati  i rezeroi  qytetit një lojë të keqe! Në vitin 1283, gati një shekull pas ndërtimit të tij, një tërmet i madh solli shkatërrimin!
Forca e tij ishte aq e madhe saqë shkaktoi rrëshqitje të paparë dheu në malin Erusheli. Njëra anë e tij u rrëzua plotësisht, duke tërhequr me vete shumicën e shpellave dhe shtigjeve poshtë tij. Dy të tretat e qytetit nëntokësor u shkatërruan plotësisht dhe ajo që kishte mbetur prej tij nuk mund të përdorej si një strehë, pasi tashmë gjithçka kishte dalë në sipërfaqen e malit.

Ai u braktis pak vite më vonë dhe mbeti i shkretë deri në shekullin e 20-të, kur ca murgj e vizituan atë dhe vendosën që ta përdornin përsëri si manastir. Sot, funksionon si muze për vizitorët që dëshirojnë të mësojnë historinë e tij!/albstroka.com

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top