You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » KODI I HAMURABIT – PARIMI I HAKMARRJES

KODI I HAMURABIT – PARIMI I HAKMARRJES

gazeta-albstroka-lorena-stroka-gazetareNga Lorena Stroka

Kodi i Hamurabit përbën një nga tekstet më të vjetra të ligjeve, i cili daton rreth vitit 1754 p.e.s, krijuar nga mbreti i Babilonisë, Hamurabi.

Kodi përshkruante ligjet dhe ndëshkimet në rast të shkeljes së rregullave. Disa nga temat kryesore të tij ishin: vjedhja, bujqësia, shkatërrimi i pronës, martesa dhe të drejtat brenda saj, të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve, të drejtat e skllevërve, vrasja, plagosja dhe vdekja. Dënimet ndryshonin në varësi të renditjes së kryerësve dhe viktimave.

Ligjet nuk linin hapësirë për justifikime, gabime ose keqinterpretime, fundja për këtë arsye ishin ekspozuar publikisht. Fakt që nuk solli ndonjë përmirësim të dukshëm, pasi shumica e popullsisë në atë kohë nuk dinte të lexonte. Një parim themelor i së drejtës penale në Kodin Hamurabi ishte Parimi i Hakmarrjes.

Nëse dikush akuzohej për një akt të caktuar, pa prova, kryhej ceremonia vijuese: I akuzuari hidhej në lumë, nëse mbytej, akuzuesi i merrte pronësinë e shtëpisë. Në qoftë se i akuzuari mbijetonte, kjo merrej si shenjë pafajësie nga perënditë. Rrjedhimisht ekzekutohej akuzuesi, dhe i akuzuari i merrte pronësinë e shtëpisë.

Kodi i Hamurabit konsiderohet të jetë koleksioni i parë organik i ligjeve, por edhe një nga më të vjetrit, ndër të cilët spikasin Kodi i Ur-Nammu, mbreti i Ur dhe Kodi i Esnunna. Ligji i mëvonshëm i Mozaikut përmban disa ngjashmëri me ligjet e Kodit Hamurabi.

Kodi në fjalë përmbante gjithsej 282 ligje, të cilat u bënë veçanërisht të njohura për saktësinë, por edhe për qëndrueshmërinë e tyre.

Disa nga ligjet më të njohura të Hamurabit ishin:

Nëse dikush akuzonte dikë tjetër, pa pasur prova, dënohej me vdekje për shpifje.

Nëse një gjykatës merrte një vendim, i cili më vonë vërtetohej i gabuar, detyrohej me ligj të paguante dymbëdhjetë herë dënimin e dhënë të akuzuarit, si dhe nuk i lejohej më e drejta e gjykimit.

Nëse një grabitës arrestohej në flagrancë, dënohej me vdekje.

Nëse dikush nuk shlyente dot një borxh të marrë,  ishte  i detyruar të shiste veten, gruan dhe fëmijët e tij si skllevër pune, dhe pas tre vjetësh të rifitonin lirinë./albstroka.com

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top