KOKËPRERJA E MEDUZËS, GORGONËS QË GURËZONTE KËDO QË E SHIKONTE!
Nga Lorena Stroka
Sipas Hesiodit, “tri gorgonat e mitologjisë Greke jetonin shumë larg, në mes të territ, përtej Oqeanit Atlantik, atje ku banonin Hesperidet”. Ndryshe nga Sthenoja dhe Euryala, të cilat ishin të pavdekshme, Meduza ishte e vdekshme. Përveç kësaj, Meduza u bë më e njohur se dy motrat e saj përmes historisë së vdekjes së saj. Në librin «Θεογονία» (Krijimi i Perëndive), ka një referencë për momentin e vdekjes së Meduzës në duart e Perseut, por jo për fytyrën e saj. Përkundrazi, në veprën e Ovidit, “Metamorfozat”, është dhënë një përshkrim më i plotë si i prerjes së kokës së Gorgonës nga Perseu, ashtu edhe i pamjes së saj! Nga qafa e prerë e gorgonës flitet se doli një kalë me krahë, Pegasi. Në këtë pikë, në «Θεογονία» e Hesiodit përmendet se përveç kalit me krahë, nga qafa e prerë e Meduzës, lindi Chrysaoras, një gjigant me një shpatë të artë në dorë!
Në veprën e tij, “Metamorfozat’, Ovidi e përshkruan Meduzën si një vajzë të bukur, e cila me kalimin e kohës u shpërfytyrua. Me pamjen e saj të jashtme ajo pati tërhequr vëmendjen e jo pak meshkujve, mes tyre edhe atë të Poseidonit, i cili e dëshiroi aq shumë saqë nuk nguroi ta izolojë brenda shenjtërores së Atenës. Hyjnesha kërkoi të hakmerrej ndaj Meduzës, duke i kthyer flokët e saj në gjarpërinj, në mënyrë që të gurëzonte cilindo që e shikonte në sy.
Ata që e kishin parë nga afër bënin fjalë për një kontrast të fortë tiparesh. Si ka mundësi vetëpyeteshin që një fytyrë kaq e ëmbël ka tipare kaq të ashpra?! Sidoqoftë, ajo që binte më së shumti në sy te gorgona ishte gjatësia e flokëve të saj. “Kaçurrelat e saj të arta tundeshin dhe shkëlqenin me hir”, citonte karakteristikisht Ovidi në veprën e tij, natyrisht para se të shpërfytyrohej tërësisht./Lorena Stroka
© AlbStroka.com