You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » PERANDORI QË URRENTE UDHËHEQJEN DHE DASHURONTE ORGJITË!

PERANDORI QË URRENTE UDHËHEQJEN DHE DASHURONTE ORGJITË!

gazeta-albstroka-lorena-stroka-gazetareNga Lorena Stroka

Megjithëse Tiberiusi e nisi rrugëtimin e tij si reformator dhe udhëheqës popullor, në fund u mbajt mend veç për orgjitë e tij seksuale!

Pas shumë dekadash luftë civile, fillimisht nga Cezari kundër Senatit dhe pastaj nga Oktaviani kundër Mark Antonit, në Romë u kthye sërish paqja. Në vitin 27 para lindjes së Krishtit, djali i birësuar i Jul Çezarit, Oktaviani, u shpall Perandor pasi pushtoi Egjiptin dhe shfarosi armiqtë e tij. Augusti, siç u quajt pas kurorëzimit të tij, bëri të gjitha reformat e nevojshme shoqërore dhe politike për kalimin e qetë të Romës nga demokracia në monarkinë e perandorit. Një nga shqetësimet e tij kryesore ishte emërimi i pasardhësit të tij, në mënyrë që betejat për pushtet të mos fillonin përsëri pas vdekjes së tij.

Augusti nuk kishte asnjë djalë biologjik, kështu që iu desh të zgjidhte midis tre të afërmve të ngushtë, përfshirë këtu dhe djalin e gruas së tij nga martesa e saj e parë, Tiberiusin,  i cili shquhej si një luftëtar dhe gjeneral i shkëlqyer.

Pavarësisht pjesëmarrjes së tij në disa beteja, Augusti nuk e konsideronte atë të aftë për të udhëhequr një perandori të tërë, Tiberiusi, nga ana e tij, ndihej jashtëzakonisht i gatshëm për të ndërmarrë përgjegjësi të tilla. Si i afërm i ngushtë i perandorit, ai u thirr të shërbente në disa poste administrative në Romë, duke i kryer detyrat e tij me drejtësi, por pa ambicie. Ai ishte një djalë serioz, i qeshur, i cili preferonte të jetonte i qetë me familjen e tij.

Në vitin 12 para lindjes së Krishtit, gjenerali Agripa, më i afti nga pasardhësit e Augustit, vdiq. Fatalisht, Tiberiusi e gjeti veten një hap më afër pushtetit absolut. Augusti, për të ruajtur fuqinë e familjes, urdhëroi Tiberiusin të divorcohej nga gruaja e tij e dashur dhe të martohej me të venë e Agripës, Julinë, të bijën e Oktavianit!  Megjithëse nuk donte, Tiberiusi u detyrua të plotësonte kërkesën e Augustit dhe të martohej me Julinë, e cila njihej në të gjithë Romën si e perdalë. Pas gjashtë vjetësh, Tiberiusi vendosi të ndahej nga Julia si dhe të hiqte dorë nga detyrat e tij.

Tiberiusi hodhi poshtë çdo ofertë nga Augusti për t’u kthyer në Romë dhe zgjodhi të jetonte i vetëm në një ishull grek. Periudha e tij e qetë zgjati vetëm dy vjet. Pas vdekjes së nipit të Augustit që synonte ta pasonte, Tiberiusi u detyrua të kthehej në Romë. Nëse nuk do ta bënte, perandoria do të zhytej përsëri në luftë civile. Augusti adoptoi Tiberiusin, e emëroi atë si pasardhës të tij, dhe kështu u gjend përsëri në mes të intrigave që aq shumë urrente…

Gjatë viteve të para të mbretërimit të tij, Tiberiusi u përpoq të dukej i denjë karshi detyrave të tij. Ishte i drejtë, kujdesej për njerëzit e thjeshtë dhe nuk ngurontei të kundërshtonte Senatin, kur e shikonte të arsyeshme. Por indiferenca e tij ndaj pushtetit shumë shpejt nisi të bëhej e dukshme. I jepte urdhra të paqarta Senatit të vepronte në mënyrë autonome, si në periudhën e demokracisë, në mënyrë që të mos merrej ai vetë me ato punë. Por senatorët e rinj nuk dinin të sundonin vetë, pa mbikëqyrjen e perandorit.

Tiberiusi sundoi për nëntë vjet, por në vitin 23 pas lindjes së Krishtit, dhe vdekjes së të birit, për shkaqe të panjohura, u tërhoq në vilën e tij në Capri, ku dhe qëndroi deri në fund të jetës së tij. Atje, Perandori, i cili deri në atë kohë shquhej për modesti dhe thjeshtësi, nuk vonoi të shpaloste dhe një anë tjetër të karakterit të tij, atë të orgjive seksuale, të cilat kapërcenin kufijtë e imagjinatës njerëzore, ishin aq rrëqethëse saqë konkurronin perversitetin e pasardhësit të tij të famshëm, Kaligula!/albstroka.com

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top