You Are Here: Home » MITOLOGJI » Greke » ROLI I GRUAS NË LASHTËSI

ROLI I GRUAS NË LASHTËSI

Nga Lorena Stroka

Në shoqërinë e lashtë greke mund të thuhet me plot gojën se burrat ishin më të privilegjuarit e shoqërisë. Gëzonin status të plotë ligjor, d.m.th. kishin të drejtën e votës, mbajtjen e disa posteve publike, prona e shumë të drejta të tjera. Nga ana tjetër, gratë, fëmijët, emigrantët (qofshin grekë apo të huaj), punëtorët dhe skllevërit kishin role të përcaktuara, por me ndërveprim – zakonisht të paligjshëm – midis klasave dhe grupeve të tjera shoqërore. Shoqëria në Greqinë e lashtë përbëhej kryesisht nga grupet e mëposhtme:
 
Burrat – ndaheshin në tre kategori: aristokratët, fshatarët më të varfër dhe klasa e mesme (artizanë dhe tregtarë).
Punëtorët gjysmë të lirë (p.sh.: helotët në Spartë).
Gratë – u përkisnin grupeve të lartpërmendura, por pa të drejta qytetare.
Fëmijët – përfshirë ata nën moshën 18 vjeç.
Skllevërit – ose robërit, që kishin detyrime politike ose ushtarake.
Të huajt – nuk jetonin në Athinë, por në kufijt e një qytet-shteti, nuk e kishin prejardhjen andej, dhe cilësoheshin si inferiorë ndaj grupit shoqëror të burrave.
 
Siç u përmend edhe më sipër gratë gëzonin pak të drejta në krahasim me burrat. Duke mos pasur të drejtë vote, tokë apo trashëgimie, vendi i tyre ishte shtëpia dhe rritja e fëmijëve. U ndalohej të kishin kontakte me burra jashtë familjes. E kalonin pjesën më të madhe të ditës duke kryer aktivitete të brendshme si përpunimi i leshit dhe thurja. Nga ana tjetër, gratë në Spartë trajtoheshin ndryshe, për shembull, ushtroheshin në natyrë pa rroba, si burrat, gjithashtu u lejohej të kishin tokë dhe të konsumonin verë.
 
Gratë duhej të martoheshin pa pasur asnjë kontakt paraprak dhe martesën zakonisht e bënte babai, i cili zgjidhte edhe dhëndrin, prej të cilit merrte pajën. Nëse vajza nuk kishte baba, atëherë menaxhimin e pasurisë së saj dhe organizimin e martesës e merrte përsipër xhaxhai/daja ose ndonjë i afërm tjetër. Zakonisht martoheshin shumë herët, rreth moshës 13 ose 14 vjeç, ndaj dashuria nuk ishte kriter për zgjedhjen e partnerit. Sigurisht, nuk përjashtohej mundësia që rrugës të lindte ndjenja mes çiftit, por në rastin më të mirë do të zhvillohej një e ashtuquajtur miqësi –ose dashuri vëllazërore. Përkundrazi, burri mund ta gjente ndjenjën e dashurisë kudo tjetër.
 
Një martesë mund të përfundonte në tre mënyra.
E para dhe më e shpeshta ishte heqja dorë e burrit, për të cilën ai nuk ishte i detyruar të jepte asnjë shpjegim konkret. E vetmja që duhej të bënte ishte të merrte pas pajën. E dyta, ishte kur vetë gruaja largohej nga shtëpia, dhe në këtë rast kujdestari i ri i saj duhej të vepronte sikur të ishte përfaqësuesi i saj ligjor. Kjo sigurisht ishte diçka shumë e rrallë, pasi në këtë mënyrë njollosej reputacioni i gruas, pra vështirë se gruaja merrte guximin të braktiste burrin asokohë!
E treta, ishte kur babai i nuses i kërkonte së bijës të kthehej pas, me sa duket për t’i ofruar asaj një burrë tjetër me një pajë më të mirë. Por ky variant ishte i mundur vetëm kur gruaja nuk kishte fëmijë. Në rast se gruaja humbiste burrin, ajo detyrohej të martohej me një të afërm të ngushtë për të mbajtur pronën brenda familjes.
 
Sa i përket grave që ofronin shërbime erotike, ato ndaheshin në dy kategori. Në të parën bënin pjesë ato të cilat punonin në shtëpi publike. Ndërsa në të dytën, prostitutat e klasës së lartë, të cilat zakonisht ishin të arsimuara, zotëronin aftësi të mira muzikore/kulturore dhe që shpesh krijonin marrëdhënie të qëndrueshme erotike me burra të martuar (por të pasur)./Lorena Stroka
 
© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top