You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » HISTORI » NJERËZ NË SHITJE

NJERËZ NË SHITJE

Nga Lorena Stroka

Një anije e mbingarkuar lundron detit të pafund. Në përplasjen e valëve dëgjohet një këngë, një melodi plot lotë e nostalgji. Është zëri i krijesave fatkeqe që vajton lirinë e humbur. Janë zezakët e varfër, që i çrrënjosën nga arat e tyre, për t’i shitur si skllevër në pazaret e Europës.

Qysh nga lashtësia, popujt e qytetëruar: Egjiptianët, Grekët, Romakët e konsideronin të natyrshme të kishin skllevër me bollëk. Arsyet që skllevërit përfundonin në arat ose oborret e sundimtarëve të kohës, ishin thuajse të njëjta: mundja në luftëra ose pamundësia për të paguar borxhet që kishin.

        Akoma dhe te skllevërit kishte një lloj hierarkie… Ekzistonte dallimi midis argatëve të tokave, që ishin më të përulur dhe shërbëtorëve të shtëpive, që ishin të përkushtuar ndaj pronarëve të tyre, breza të tërë. Më të favorizuarit ishin robërit e luftërave, më të mirët zgjidheshin për edukimin e fëmijëve. Emri “skllav” është relativisht i ri dhe e ka prejardhjen nga “sllav”, sepse në shek. X-të, nisi importi i skllevërve nga vendet sllave. Kështu, mbizotëroi emërtimi në të gjithë Europën, që do të thotë se një ekzistencë mund të blihet dhe shitet disa herë…

Nga sulmet e Mongolëve, gjatë shek. XIII-të, shumë robër ranë në duart e Turqve. Rusët dhe Armenët mbuluan skllavo-pazaret e Detit të Zi, ku tregtarët nga Gjenova i blinin për t’i rishitur në Perëndim.. Asokohë, zezakët kapeshin nga tregtarët Arabë  dhe shiteshin në skllavo-pazaret e Marokos dhe Spanjës, për të zbukuruar Avllitë europiane… Disi kështu, princat  filluan të kishin në shërbimin e tyre skllevër dhe kërcimtare me ngjyrë të errët lëkure. Në Mesjetë, puna u reduktua, por nuk u zhduk. Feudalët e mëdhenj përdornin skllevër. Tokat u ndaheshin në ngastra punëtorëve të varfër, që më parë kishin qenë skllevër, dhe ndiqnin fatin e vendit ku jetonin… Kështu, kishte familje bujkësh, të varura nga pronari, por të lira.

Në lashtësi, skllavëria ishte mjaft e përhapur. Popujt e mundur ktheshin në skllevër dhe përdoreshin  për punë të ndryshme, në bazë të aftësive që kishin. Skllevërit kryenin punë të rëndomta. Në rast se fitonin besimin e të zotërve, merrnin përsipër detyra më të larta. Po të kishin gjak fisnik dhe zotëronin njohuri të mjaftueshme shumëfushore, edukonin fëmijët e pronarëve. Me zgjerimin e Shtetit Romak nevojat për skllevër u rritën së tepërmi. Në atë kohë, tregtia e skllevërve njohu lulëzim të paparë. Skllevërit që ishin për të shitur, i ngjisnin në një rrethrrotullim, për t’i parë blerësit. Në qafë u varnin nga një etiketë me të dhënat personale: kombësi, profesion, aftësi.

Pushtimet e Portugezëve në Afrikën Perëndimore, e shndërruan Lisbonën  (midis shek. XIV-të – XV-të), në skllavopazarin më të madh të Europës, dhe zbulimi i Amerikës (1492), shënoi fillimin e një epoke të vërtetë skllavërie. Pas zbulimit të Amerikës, puna u bë mënyra më efektive për shfrytëzimin e tokës koloniale. Anijet e stërmbushura me skllevër çanin Oqeanin nga Afrika në Amerikë…

Në atë kohë, vetë qeverisjet kishin lejuar dhe ndihmuar tregtimin e skllevërve. Rrafshimet e mëdha Amerikane dhe pjelloria e tyre neviojiteshin duar të forta pune. Vendasit kishin dështuar në këtë drejtim. Mosdisiplinimi dhe fiziku i dobët i tyre i kishin bërë të mos rezistonnin gjatë në lodhje. Të bardhët punësoheshin përkohësisht, ndaj dhe punëdhënësit nuk bazoheshin dot te ata. Një mënyrë tjetër, për të gjetur duar punëtore ishte dëbimi i të dënuarve, por kjo mbarte rreziqe protestash dhe arratisjesh. Zezakët, truplidhur, të qetë, të mësuar në klimë të ngrohtë ishin më të përshtatshmit për punë bujqësie. Në atë kohë, u vu re forma e egër e skllavotregtarit, burrit të pashpirt që me kamxhikun në dorë, ngarkonte në anije, krijesat e pafajshme e fatkeqe, skllevërit.

Ligjet ishin në favor të skllavotregtarëve, të cilët paguanin një taksë të caktuar për importin e çdo robi. Taksat pasuronin qeveritë përgjegjëse që kërkonin të kryesonin Spanjën, Francën dhe Anglinë. Përkrah tregtisë së ligjshme ecte dhe e paligjshmja. Shek. XVIII-të, ishte periudha ku shitja e skllevërve njohu zhvillimin më të madh. Në fillim të shek. XIX-të, vala e lirisë, që rezultoi nga Revolucioni Francez, risolli në sipërfaqe çështjen e skllevërve. Hapa të vegjël nisën të bëheshin. Gjendja shëndetësore e skllevërve kontrollohej rregullisht. Kapitenit të anijes që i importonte i jepej një shpërblim simbolik kur skllevërit mbërrinin shëndoshë e mirë. Një grup priftërinjsh katolikë përdori çdo mënyrë për të lehtësuar mjerimin e skllevërve. Çelën fushatën kundër skllavërisë, dhe për shumë kohë u bë emblema e vendeve më të qytetëruara… Në të morën pjesë: Holanda, Suedia, Franca dhe të gjitha shtetet e Amerikës. Brazili ishte vendi i fundit pjesëmarrës, pasi kish frikë se mungesa e skllevërve do të shkatërronte bimësinë e vendit. Ardhja në pushtet, si president i SHBA-së, e Abraham Lincoln, në mes të shek. XIX-të, rrëzoi zyrtarisht regjimin e skllavërisë, një regjim që përbënte turp për njerëzimin./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top