You Are Here: Home » Të ndryshme » A është e mundur miqësia mes dy gjinive?

A është e mundur miqësia mes dy gjinive?

Nga Lorena Stroka
 
Sipas Aristotelit, miqësia mund të ekzistojë vetëm mes të barabartëve, dhe gruaja në kohët e lashta – nuk konsiderohej e barabartë me burrin, as aq inteligjente sa ai.
 
Marrëdhëniet e pakta miqësore midis burrave dhe grave që ekzistonin në shekujt e mëparshëm ishin të mundshme vetëm midis individëve të klasave të larta shoqërore. Pas shekullit të 18-të gjërat filluan të ndryshojnë gradualisht, dhe gratë të shiheshin si bartëse të një ndjeshmërie të veçantë që i bënte bashkëbiseduese interesante…
Ndryshe nga femrat, shumica e meshkujve vijojnë të besojnë se miqësia mes meshkujve dhe femrave është e pamundur. Po pse ndodh kjo? A ka të bëjë kjo me biologjinë e dy gjinive? A është çështje e testosteronit, dëshirës seksuale apo logjikës Darviniane?
 
Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Wisconsin-it u përpoqën t’i përgjigjen kësaj pyetjeje të përjetshme përmes disa provave interesante. Sipas tyre, problemi kryesor me këtë lloj marrëdhënieje është se burrat dhe gratë e trajtojnë temën e “miqësisë” krejtësisht ndryshe. Konkretisht, meshkujt priren t’i zgjedhin mikeshat në bazë të pamjes së jashtme, me qëllim tërheqjen seksuale dhe krijimin e mundshëm të një raporti intim në të ardhmen. Nga ana tjetër, femrat nuk kanë të njëjtat kritere në përzgjedhjen e miqve, të paktën jo në të njëjtën masë.
 
Është pikërisht ky ndryshim në perceptim që duket se e bën të pamundur miqësinë mes të njëjtit seks. Shkencëtarët theksojnë se prirja e natyrshme e njerëzve për t’u çiftëzuar minimizon shanset për miqësi. Kjo, natyrisht, nuk përjashton mundësinë e një marrëdhënieje të pastër miqësore. Në veçanti, njerëzit që e kanë njohur njëri-tjetrin që nga fëmijëria dhe shkolla duket se kanë përqindjet më të larta të miqësisë së vërtetë në krahasim me të tjerët që janë takuar në moshë madhore./AlbStroka.com
 
© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top