You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » HISTORI » JETA DASHURORE E NAPOLEON BONAPARTIT

JETA DASHURORE E NAPOLEON BONAPARTIT

JETA-DASHURORE-E-NAPOLEON-BONAPARTIT-SHKRIME-NGA-LORENA-STROKA-GAZETARE-WIKIPEDIA-BIOGRAFIA-JETESHKRIMI-LIBRA-BOOKSNga Lorena Stroka

Napoleoni nuk ishte vetëm një gjeneral i pashoq, por edhe një “gjuetar” i pasionuar pas grave të bukura. Ndonëse disi larg imazhit klasik të burrit të pashëm, vëmendja e femrave sharmante nuk i kish munguar asnjëherë. Guximi, vendosmëria dhe mprehtësia që shfaqte ndaj gjithçkaje që synonte të përvetësonte, e bënin të parezistueshëm në sytë e femrave, kryesisht atyre ambicioze. Dobësia karshi grave të martuara, me linja të kolme dhe sensualitet të dukshëm, nuk përbënte sekret për bashkëkohësit e tij.

Desire Klari

E dashura e parë e Napoleon Bonapartit ishte e fejuara e vëllait të tij, Jozefit. E quanin Desire dhe ishte nusja më e lakmuar në Marsejën e asokohe. Megjithëse sa i përket dukjes së jashtme, Desireja nuk plotësonte kriteret e vajzës së ëndrrave të Bonapartit, të qenët gruaja e dikujt tjetër, përbënte shtysë serioze për ta pushtuar një orë e më parë.  Sikurse dhe pritej që të ndodhte, brenda një kohe relativisht të shkurtër, ai mundi ta bindë që të ndahej nga Jozefi, e të krijonin një lidhje të re së bashku!

Jozefina

Në vitin 1795, në jetën e Napoleonit hyri Jozefina, një grua plot energji e me temperament të fortë, për shumëkënd ndoshta dhe dashuria më e madhe e jetës së tij. Ndryshe nga Desireja, të cilën e portretizonte pafajësia, ëmbëlsia, qetësia dhe bukuria e shkujdesur, Jozefina ishte një grua 33 vjeçe, vejushë, nënë e dy fëmijëve të vegjël, madje 6 vjet më e madhe se Napoleoni, por me një sensualitet të theksuar dhe linja të lakmuara trupore. I mahnitur prej saj, Napoleoni braktisi më të renë për t’iu vardisur Jozefinës,

Më vonë, Desireja u martua me oficerin francez, Zhan Bernadof, i cili në vitin 1818, u bë Mbret i Suedisë. Kështu, nga krahët e gjeneralit u gjet në fronin e Mbretëreshës. Nga ana tjetër, Jozefina, me bukuri ekzotike, vijonte të mos i përgjigjej dashurisë së komandantit. Ajo e dinte fort mirë, se prushin e dashurisë veç pritja dhe shpresa mund ta mbanin ndezur gjatë.

Pas 1 vit lëkundjesh, e lojrash të qëllimishme, ajo pranoi të bëhej bashkëshortja e tij, jo sepse e dashuronte, por se ish tepër ambicioze për t’i kthyer shpinën luksit, që një burrë si ai mundej t’i siguronte. Lidhën kurorë më 9 mars 1796, dhe vetëm pak ditë më pas, Napoleoni, u nis për fushatë në Itali. Në një prej letërkëmbimeve të tyre të shumta, ai i lutej asaj që ta shoqëronte, duke i përshkruar gjithë pasion se sa shumë e donte, por, ajo i shmangej sistematikisht, ndërkohë që gjatë mungesës së tij shijonte shoqërinë e meshkujve të tjerë.

Kur Napoleonit i ranë në vesh tradhtitë e bashkëshortes, u ndje i poshtëruar. Në një letër adresuar vëllait të tij, ai citonte: “Velloja u grisë. Sa sfilitëse qenka të mbash në zemër ndjenja kaq kontradiktore për të njëjtin njeri. Kam nevojë të rri vetëm. Jam lodhur prej madhështive. Ndiej se të gjitha emocionet më janë ngrysur. Nuk më intereson më lavdia. Në të 29-at e mia ndihem krejt i zbrazët.”

Kur përmbajtja e letrës në fjalë, pa dritën e botimit, përqeshja e figurës së gjeneralit, kapërceu kufijt e Francës. I nxitur nga tymnaja e thashethemeve të ngritura, divorci ish e vetmja rrugë shpëtimi për të. Por, pa sukses, si gjithmonë, edhe këtë herë, Jozefina arriti t’i kthente mendje. Gjithsesi, martesa e tyre nuk ishte kurrë më si më parë.

Prej asaj kohe, Napoleoni, filloi të përmendte zëlartas flirtet e tij me gra të tjera. Tashmë nuk nguronte t’i merrte me vete kudo që shkonte. Polin Fureja ishte njëra prej dashnoreve që e shoqëronte në udhëtime të ndryshme, madje disa herë e maskuar si burrë, për të mos rënë në sy. Sa për Jozefinën, nuk u dëgjua më asgjë tjetër në lidhje me burra të tjerë.

Dashnorja e Uellingtonit

Margerit Uajmar ishte një aktore bukuroshe, dashnore e Napoleonit dhe e Dukës së Uellingtonit.

Uellingtoni ishte gjenerali që kryesoi betejën e Vaterlosë dhe shpartalloi trupat e Bonapartit në 1815. Mesa duket dy kundërshtarët përveç etjes për sundim, kishin shije të ngjashme me gratë.

Marie Valefska

Në vitin 1805, gjatë një qëndrimi disaditor në Varshavë, Napoleoni pati mundësinë të takohej me një aristokrate vendase, Marie Valefskën. I joshur prej saj, i propozoi një lidhje të fshehtë, gjë që fillimisht nuk u mirëprit nga pala tjetër. Duke qenë se Valefska kishte bindje fetare, ajo besonte se marrëdhëniet jashtëmartesore përbënin mëkat. Mirëpo, me ndërmjetësimin e aristokratëve të tjerë, lidhja arriti të bëhej e mundur. Vizitat e Valefskës, kryesisht gjatë orëve të vona të natës, në dhomat personale të gjeneralit, shpeshtësoheshin gjithnjë e më shumë. E shoqëronte gati në çdo udhëtim, por, pa folur haptas për këtë. Në maj të vitit 1810, nga kjo lidhje e jashtëligjshme, lindi djali i tyre, Aleksandri.

Marie Luiza

Dy muaj para lindjes së Aleksandrit, Napoleoeni u martua për së dyti herë me Marie Luizën, mbesën e Maria Antonetës, Mbretëreshës së fundit të Francës, para revolucionit të 1789. Napoleoni qe divorcuar nga Jozefina në 1809, për shkak të pamundësisë së saj për t’i falur një pasardhës. Në vitin 1814, Napoleoni dha dorëheqjen nga froni i Francës dhe u dëbua në ishullin e Elbës. Po atë vit vdiq dhe Jozefina nga pneumonia. Kur e mori vesh, Napoleoni, u mbyll dy ditë në dhomën e tij, pa ngrënë e pa pirë. Pavarësisht gjithçkaje të ndodhur mes tyre, ai nuk reshti kurrë së dashuri atë. Fjalët e tij të fundit para se të vdiste, më 5 maj 1821 ishin: Franca, ushtria, komandanti, JOZEFINA!/albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top