You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » HISTORI » 266 PAPË, NJË FRON!

266 PAPË, NJË FRON!

Nga Lorena Stroka

Historia e 266 Papëve të Romës paraqet një odise shpirtërore dhe politike, ku çdo ngjarje është qepur me fije misteri, nën petkun solemn të shenjtërisë dhe peshën e pushtetit tokësor. Që prej Shën Pjetrit, të cilit iu besuan çelësat e Mbretërisë së Qiellit, deri te pasardhësit e tij të panumërt, Froni i Shenjtë ka qëndruar si qendër e besimit, por edhe si fole e intrigave që kanë përshkuar historinë njerëzore.

Gjatë shekujve, pushteti papnor u ngjiz në një forcë unike, që ndërthurte autoritetin shpirtëror me artin e hollë të manovrimeve politike, duke ndikuar fatet e mbretërive dhe të popujve. Veçanërisht në errësirën e Mesjetës, Papët nuk ishin thjesht etër të shenjtë, ata u shndërruan në strategë të përmasave të rralla, të cilët, për të ruajtur fronin e tyre të bekuar, përdornin çdo mjet që u ofronte koha.

Momente si Shkëputja e Madhe (1378–1417), kur tre papë pretendonin njëkohësisht fronin e Shën Pjetrit, dëshmojnë për përplasjet e mëdha që tronditën themelet e besimit dhe nxorën në dritë hijet e papnisë, atje ku ndarja mes shenjtërisë dhe ambicies njerëzore bëhej thuajse e padukshme. Në këtë sfond ngjarjesh të trazuara, lind edhe një nga legjendat më të çuditshme të historisë kishtare: ajo e Papëshës Johanna, gruas që, nën maskën e burrit, thuhet se u ngjit në Fronin e Shën Pjetrit. Një rrëfim i mbështjellë me mister dhe dyshim, që na kujton se, edhe në vendet më të shenjta, fuqia dhe etja për madhështi mund të ndërthuren në mënyra që sfidojnë çdo pritshmëri njerëzore. Po ashtu, ngjarje të tjera, si “Sinodi i Të Vdekurve”,  ku një Papë i nxjerrë nga varri u gjykua përpara popullit, dëshmonin papastërtitë dhe përdorimin politik të pushtetit papnor.

Megjithatë, përtej intrigave, pasigurive dhe sfidave të pafundme që e kanë shoqëruar historinë e Vatikanit, askush nuk mund të mohojë se Madhështia e tij, si qendra e shenjtë e Kishës Katolike, është një simbol i paepur i besimit të pafund dhe i lidhjes shpirtërore që kalon përtej çdo kufiri kohor dhe hapësinor. Froni i Shën Pjetrit mbetet një shenjë e pathyeshme e unitetit dhe forcës shpirtërore të Kishës, që udhëheq besimtarët në rrugën e shërbimit dhe qëndron si një burim i dritës së shenjtë në errësirën e botës./AlbStroka.com

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top