You Are Here: Home » Mjekësi » ZHVILLIMI I AFTËSIVE NDJESORE NË FOSHNJA

ZHVILLIMI I AFTËSIVE NDJESORE NË FOSHNJA

Nga Lorena STROKA

Zhvillimi i aftësive ndjesore dhe sistemeve biologjike gjatë muajve të parë të jetës së foshnjës është një proces i rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm shoqëror, njohës dhe emocional. Pas lindjes, foshnjat kanë aftësi të kufizuara për të perceptuar ngjyrat, duke parë kryesisht në nuanca gri. Aftësia për të perceptuar ngjyrën e kuqe zhvillohet rreth muajit të tretë, ndërsa perceptimi i plotë i spektrit të ngjyrave arrihet rreth muajit të gjashtë. Aftësia vizuale zhvillohet ndërsa sistemet vizuale të retinës dhe trurit të foshnjës arrijnë një nivel të caktuar pjekurie, duke mundësuar një perceptim më të plotë të mjedisit.

Gjithashtu, funksioni kardiologjik është mëse thelbësor për zhvillimin e foshnjës, pasi ritmi i zemrës është nga 120 deri në 160 rrahje për minutë gjatë ditëve të para të jetës, duke mbështetur qarkullimin e oksigjenit dhe zhvillimin e trurit. Aktiviteti i shpejtë kardiologjik ndihmon zhvillimin e sistemit nervor dhe forcon funksionin e trurit, duke kontribuar në mbarëvajtjen e rritjes neurologjike.

Njohja e fytyrave është gjithashtu një aftësi e hershme dhe e rëndësishme, pasi foshnjat, që nga muaji i dytë i jetës, janë në gjendje të njohin fytyrat e prindërve të tyre dhe të dallojnë fytyrat njerëzore nga objektet e tjera. Kjo aftësi është e lidhur ngushtë me zhvillimin e inteligjencës emocionale, pasi foshnjat fillojnë të kuptojnë shprehjet emocionale dhe të reagojnë ndaj tyre.

Së fundi, zhvillimi i dëgjimit fillon që para lindjes, pasi foshnjat janë në gjendje të dëgjojnë tinguj që nga gjashtëmujori i dytë i shtatzënisë. Foshnjat njohin tinguj dhe muzikë që kanë dëgjuar në barkun e nënës dhe, që nga ditët e para të jetës, ato reagojnë ndaj këtyre tingujve, duke theksuar rëndësinë e perceptimit akustik për zhvillimin e gjuhës dhe ndërveprimeve shoqërore./AlbStroka.com

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top