FILOZOFËT DHE… GRATË!

Nga Lorena STROKA
Në rrëfimet e vjetra, filozofët shfaqen si figura prej mermeri: të heshtur, të thellë, të pandryshueshëm para misterit të jetës. Por pakkush di sesa shpesh këta kolosë të mendimit dridheshin nën stuhitë e vogla të përditshmërisë — aty ku nuk kishte auditorë, por vetëm një grua!
Sokrati, filozofi që fliste për virtytin, dijen dhe jetën e vërtetë, ishte i martuar me Ksantipën. Dëshmitë bien dakord se ajo ishte e ashpër, e zhurmshme dhe me gjuhë helmatike. Shumë e panë atë si një ndëshkim hyjnor — por ndoshta ai e shihte ndryshe, si një mësuese në artin e durimit. Kur një ditë, pas një grindjeje, ajo i hodhi një kovë ujë në kokë, ai, duke fshirë fytyrën, komentoi me qetësinë e tij të zakonshme: ”Pas bubullimës, vjen shiu.” Ndoshta ishte i pari që kuptoi se forca e vërtetë nuk qëndron tek imponimi, por te durimi i heshtur.
Platoni zgjodhi një tjetër rrugë. Ai fluturoi larg nga tokësorja, s’kërkoi joshjen fizike, por vetëm hijet e shpirtit. Në ëndrrat e tij, njeriu ideal nuk ndotet nga pasionet e vogla. Por mbase humbi diçka – ato plagë të ëmbla që vetëm bashkëjetesa t’i gdhend në zemër.
Aristoteli, më i matur, e kuptoi se jeta nuk është ide, por frymë dhe dhimbje e butë. Ai dashuroi, humbi, dhe nuk u ankua. Dashuria për të nuk ishte një stoli filozofike, por një tokë e ngrohtë ku mbillej shpresa, sado e përkohshme të ishte.
Stoikët mësuan të duan pa u lidhur. Të qajnë pa zhurmë. Të ndajnë jetën me dikë duke ditur se një ditë do të humbin gjithçka — dhe megjithatë ta duan gjithsesi.
Nga ana tjetër, Diogjeni, i mbështjellë vetëm me një mantel, kërkoi lirinë në vetmi, duke e ditur se çdo lidhje i përngjan një filli të hollë që mund të bëhet lak.
E megjithatë, në heshtjen e tyre, në buzëqeshjet e lodhura, në sytë që mbulonin fjalët e pathëna, u fsheh filozofia më e thellë: Jo si të mendosh për jetën, por si ta duash jetën edhe kur ajo nuk është ideale. Kështu, përtej librave të mëdhenj dhe fjalimeve pompoze, qëndron një urtësi e vogël, e heshtur – ajo që lind kur, në mes të një zemërimi, zgjedh të heshtësh; kur, në mes të një humbjeje, zgjedh të mbetesh i butë.
Sepse në fund, atje ku mbaron fjala, fillon urtësia e vërtetë./AlbStroka.com
© AlbStroka.com