You Are Here: Home » Mjekësi » MJEKJA QË U MASKUA SI BURRË PËR TË USHTRUAR PROFESIONIN E GJINEKOLOGES

MJEKJA QË U MASKUA SI BURRË PËR TË USHTRUAR PROFESIONIN E GJINEKOLOGES

Nga Lorena Stroka

Agnodika jetoi në Athinë në shek. IV p.e.r., dëshira më e madhe e saj ishte të studionte për mjekësi, por kjo gjë ishte e pamundur asokohë, pasi nëse do të guxonte ta bënte këtë si grua, do të përballej me dënimin me vdekje.
 
Për shkak të ndalimit të rreptë, gjatë asaj kohe ish vërejtur një shkallë e lartë vdekshmërie te gratë, të cilat refuzonin të kontrolloheshin nga mjekë-meshkuj… Kjo ishte arsyeja kryesore pse e reja dëshironte të bëhej mami.
Kundër ndalimeve dhe paragjykimeve të kohës, Agnodika vendosi të rrezikonte dhe të realizonte ëndrrën e saj. Ajo u “zhvesh” nga çdo gjë që dëshmonte anën e saj femërore, veshi rroba burrash dhe studioi nën drejtimin e Herofilit – mjek i famshëm dhe një nga anatomistët e parë të asaj periudhe.
 
Shumë shpejt fitoi popullaritet dhe të gjithë flisnin për të riun që shkëlqeu në obstetrikë dhe gjinekologji. Ajo që bëri përshtypje, përveç njohurive natyrisht, ishin gishtat e hollë të “doktorit të ri”, por edhe ëmbëlsia e çuditshme e fytyrës së tij. Për t’i qetësuar, ndonjëherë u tregonte se ishte grua, në mënyrë që gratë ta besonin më lehtë dhe të ndiheshin edhe më të sigurta në duart e saj.
 
Sekreti i saj nuk u zbulua. Kishte aq shumë punë saqë preferenca ndaj saj vihej re nga të gjithë. Kolegët e saj meshkuj, duke mos ditur se përballë tyre kishin një grua, kërkuan të gjenin një mënyrë për të eliminuar mjekun e ri që u mori klientelën. Kështu filluan ta akuzojnë hapur për lidhje jashtëmartesore me zonjat që ai ekzaminonte.
 
Shpifja u shtua aq shumë sa më në fund u arrestua dhe u gjykua. Agnodika vendosi që në mbrojtje të saj të zbulonte identitetin e saj të vërtetë. Trupi gjykues kërkoi dënimin me vdekje të së resë… mirëpo shumë shpejt gjyqtarët u ndeshën me një qëndresë tejet të fortë nga pala e të gjitha grave që ajo kishte shëruar. Në vijim, duke mos pasur ndonjë akuzë tjetër të rëndë ndaj saj, u detyruan ta shpallin të pafajshme!
 
Falë mbështetjes së të gjitha grave por dhe bashkëshortëve të tyre, Agnodika arriti jo vetëm shfajësimin e saj solemn por edhe rishikimin e legjislacionit ekzistues, duke lejuar kështu, që prej asaj kohe, gratë e Athinës së lashtë të studiojnë për mjekësi dhe ta ushtrojnë si profesion lirshëm./LorenaStroka/
 
Agnodika njihet si mjekja e parë obstetër-gjinekologe në historinë e mjekësisë.
 
© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top