You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » SËRISH BASHKË…

SËRISH BASHKË…

Përshëndetje të gjithëve!

Pas një mungese të gjatë, më në fund jam sërish këtu! Më kishte munguar kjo mënyrë komunikimi, dhe e vërteta është që nuk ishte aspak e lehtë të qëndroja larg. Siç e dini, detyrimet e këtij viti – mësimet në fakultet, provimet, ngarkesa e përditshme – nuk më linin hapësirë të jem aktive.

Por tani… gjithçka ndryshon!

E përfundova me sukses vitin e parë dhe më në fund mund të marr frymë. Pushimet e verës sapo kanë filluar, dhe gjëja e parë që desha të bëj ishte të kthehem këtu – këtu ku nisën të gjitha, të ndaj sërish me ju mendime, ide, e pak nga jeta e përditshme.

Për të qenë e sinqertë, po e mendoj seriozisht që të largohem përfundimisht nga Facebook-u dhe t’i kthehem faqes (dashurisë sime të parë e të përjetshme, të cilën e krijova nga zero-ja me shumë përkushtim e dashuri) për komunikimin tonë të përditshëm. Si dikur – më thjesht, më natyrshëm, më shumë “unë”. FB është një platformë shumë e mirë, por ndoshta unë nuk jam e prerë për t’u sinkronizuar me të!

Edhe pse mezi prisja pushimet e verës, mendja më ka fluturuar tashmë te shtatori. Viti i dytë është afër, dhe bashkë me të fillon edhe praktika profesionale në një shkollë. Një kapitull i ri, me më shumë përgjegjësi – por edhe me shumë gëzim! Kam filluar që tani të përgatis “mjetet” e punës: kartela, ushtrime, materiale… dhe vetëm mendimi më mbush me entuziazëm, si një fëmijë i vogël! Ndaj s’m’u durua pa jua treguar edhe juve këto që kam përgatitur me duart e mia nga A te Zh!

Pak nga pak do të rikthehem – se kemi shumë për të thënë e për të bërë. Ju falënderoj nga zemra të gjithëve ju që e keni vizitzar faqen, që (ndoshta) keni pritur… dhe ja ku jemi, sërish bashkë, për të ndarë gjithçka nga fillimi ose më saktë nga aty ku e lamë

Kaq për momentin!

Përqafime! 

 

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top