MBRETI QË KTHEU NË AR GJITHÇKA QË PREKU
© Lorena STROKA
Lakmia për pasuri, pushtet dhe lavdi nuk është një ves i njeriut të sotëm, por një dukuri e vjetër, e hasur thuajse në të gjitha etapat e historisë njerëzore… Ajo lidhej gjithmonë me dëshirën e pashuar për mbledhje ari, dhe çfarëdolloj gjëje tjetër me vlerë e botës së lashtë. Ndodhia e Mbretit Midas përbën një shembull i përjetshëm i pasojave të dëshirës së pakufijshme për zotërim dhe grumbullim të këtij metali të çmuar.
Sipas mitologjisë Greke, Midasi, mbret i Frigjisë, dikur mirëpriti në pallatin e vet me të gjitha nderimet, Sileniusin, krahun e djathtë të Dionisit, Zotit të Verës. Kur ky gjest bujar ra në veshin e Dionisit, ai i tha mbretit, kërkomë ç‘ të duash, në këmbim të mirësisë së bërë karshi mikut të tij besnik.
Midasi iu përgjigj se vetëm një dëshirë kishte: që çfarëdo që të prekte me dorë, të kthehej në ar.
Në të vërtetë, ai nuk kishte llogaritur aspak se sa dëshpërim do t’i krijonte një kërkesë e tillë, në të ardhmen e afërt.
Shumë shpejt, mbreti filloi të vuante pasojat e bollëkut, përditë rrezikonte të vdiste nga uria, pasi ushqimi që prekte me dorë, kthehej në ar. Shpresëhumbur, një ditë prej ditësh, teksa përqafoi të bijën për të gjetur pak ngushëllim, ajo u kthye në statujë prej ari.
Thellësisht i zhgënjyer dhe i hidhëruar nga humbja e së bijës, Midasi i kërkoi Dionisit që ta shpëtonte nga gjendja që po përjetonte. Zoti e këshilloi të lahej në lumin e Pactolusit për të rigjetur qetësinë e humbur. Prej asaj kohe, lumi rridhte vetëm… ar!
Ar, që më vonë do të bëhej burim i pasurisë së Midasit, i cili mbretëroi gjatë viteve 500-546 p.e.r./albstroka.com/
© AlbStroka.com