You Are Here: Home » Mjekësi » Gjinekologji » MASTEKTOMIA QË NGA LASHTËSIA E DERI MË SOT (I)

MASTEKTOMIA QË NGA LASHTËSIA E DERI MË SOT (I)

Nga Lorena Stroka

Gjiri siguron ruajtjen e jetës njerëzore, është simbol bukurie, dashurie, fertiliteti dhe është element i pazëvendësueshëm femëror. Që nga kohët e lashta e deri më sot njeriu përpiqet të ruajë shëndetin dhe estetikën e gjirit, edhe pse shumë herë detyrohet t’i nënshtrohet të pashmangshmes, pra, amputimit, kur kirurgu ndërhyn për të shpëtuar jetën e të sëmurit të prekur nga kanceri.

Qysh në kohët e lashta, gjymtimi i gjinjve imponohej si një lloj dënimi. Kodi i Hamurabit (1750 p.e.r.,) që ndodhet në muzeun e Luvrit, referon se prerja e gjinjve ishte një lloj dënimi. Sipas Herodotit, Amazonat ishin një fis grash luftëtare që jetonin në brigjet e Scythia. Në komunitetin e tyre nuk kishte djem, ndaj dhe të gjithë meshkujt që lindnin i vrisnin ose i dërgonin te baballarët e tyre. Vajzat e kishin të prerë gjirin e djathtë, me qëllim që të mbanin harkun më mirë.

Dëshmitaret e virgjëra si Shën Barbara, Shën Agatha etj, kishin rënë viktima të prerjes së gjinjve. Në shekujt e parë të krishterë, dëmtimet ose gjymtimet e gjinjve ishin një torturë e shpeshtë gjatë shekujve të persekutimeve.

Scoptsy gjatë flijimeve që bënin, gjymtonin gjinj, buzë vaginash dhe klitorise. Po të njëjtët, në shek. XVIII-të i prinin gjinjtë në copëza, i shpërndanin dhe pastaj i hanin si një lloj mezeje.

Mastektomi është bashkëngjitja e fjalëve gji dhe prerje. Në shumicën e rasteve, fjala prerje na kujton terminologji teknike, për shembull, cholecystectomy, ndërsa fjala gji na krijon një ndjesi romantizmi dhe finese.

Kanceri i gjirit që është përshkruar shekuj më parë dhe që zbatohej nga praktikues, ishte një trajtim tepër radikal, pasi nuk kishte anestezi dhe nuk zbatohej antisepsia. Hipokrati (460 – 377 p.e.r.,) është njeriu i parë që përdori në tekstet e shkruara termin kancer. Ai mendonte se ishte më mirë të mos i jepej trajtim kancerit të “fshehur”. Perceptimet e tij për rëndësinë e terapisë kirurgjike përmblidheshin në shprehjen e famshme: “Ato që s’kurohen me barna, kurohen me bisturi, ato që s’kurohen me bisturi, kurohen me djegie dhe ato që s’kurohen me djegie, konsiderohen të pashërueshme”.

Kanceri i gjirit ishte studiuar shumë mirë nga mjekët e Greqisë së Lashtë dhe Bizantit. Henri de Mondeville (1260-1320) besonte se trajtimi duhej të bëhej me dietë dhe ndërhyrje kirurgjikale. Në ato kohëra, prerja e gjirit duhej bërë sa më shpejt. Trajtimi kirurgjikal ishte i dobishëm kur tumori mund të hiqej plotësisht. Në qoftë se dikush nuk donte të operohej, përdorte faktorë kaustikë (djegës), si arseniku.

Ambroise Pare (1509-1590), fillimisht berber në profesion, pasi studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Paris  dhe u bë mjek ushtarak, ndoqi parimet e Archigenit dhe Leonidës në kirurgji. Ai përshkroi infiltrimin e lëkurës dhe nyjeve limfatike në rastet e kancerit të avancuar të gjirit. Një nga rastet e Pare ishte historia e Madame de Montingy, një gruaje që ishte në shërbim të nënës së mbretëreshës, e cila e pyeti lidhur me shfaqjen e një gjendre të ndjeshme, sa një kokërr arre, në gjirin e majtë. Diagnoza e Pare ishte kancer, megjithatë, mendoi se do ishte më mirë të mos ia thoshte për momentin. Me miratimin e këshilltarit mjekësor të zonjës, kufizoi trajtimin e pastrimit të plagës dhe lyerjen e saj me një krem që përmbante merkur. Gjatë dy muajve të ardhshëm, pacientja nuk shfaqi asnjë përmirësim apo përkeqësim. Për këtë arsye, shkoi te një mjek tjetër i cili i premtoi shërim të plotë. Ai aplikoi nxehtësi dhe barna. E keqja s’vonoi të ndodhte. Efekti shkatërrues shkaktoi zmadhimin e gjendrës nga një kokërr arre, në madhësinë e një shege të pjekur. Gjakderdhjet e përsëritura e çuan pacienten në vdekje.

Një nxënës i Bartholome Cabrol në Montpellier, nuk u pajtua me konservatorizmin e profesorit të vet, ndaj dhe u vendosë pro mastektomisë dhe heqjes së muskujve pektoralë…

Michael Servetus (1509-1553) mjek spanjoll, ra dakord me Cabrol, dhe që prej këtej thuhet se filloi ideja që çoi në zhvillimin e mastektomisë bashkëkohore. Profesori Gabriele Fallopio (1523-1563) ishte tepër i rezervuar në trajtimin e kancerit të gjirit, prandaj dhe rekomandoi disa barna për aplikim lokal, të tilla si gaforret e pjekura në hi ose të ziera në qumësht. Në

qoftë se dhembja nuk largohej, atëherë, vetëm Zoti duhej të vendoste për jetën e pacientes. Në të njëjtën kohë, kirurgu gjerman, Wilhelm Fabry von Hilden (1560-1634) shpiku një mjet që dërrmonte bazën e gjirit, ndërkohë që një presë e përshtatur e priste. Ai vetë i hiqte nyjet lemfatike të sqetullave nga buza anësore e prerjes rrethore ose përmes një prerjeje të veçantë në zonën e sqetullës.

Tulp (1593-1674) mendonte se kanceri i gjirit ishte një sëmundje ngjitëse. Për të mbështetur qëndrimin e tij, paraqiti rastin e një gruaje të moshuar Holandeze, Andriana Lambertës, që vuante nga kanceri i avancuar i gjirit, dhe u konsiderua se i ngjiti sëmundjen shërbëtores së saj. Ngriti gjoksin dhe e preu të tërë me tehun e një thike të mprehtë. Pastaj dogji me hekur të nxehur pikat që nxirrnin gjak. Ky ishte operacioni Amazonë, i cili ishte përshkruar hollësisht më parë nga kirurgu i njohur spanjoll, Francisco Arceo në 1574/Albstroka/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top