You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » FARAONI QË JETOI PAK DHE U MBAJT MEND GJATË!

FARAONI QË JETOI PAK DHE U MBAJT MEND GJATË!

albstroka-gazeta-lorena-stroka-wikipediaNga Lorena Stroka

Tutankhamuni është mbase Faraoni më në zë i Egjiptit të Lashtë, por jo sepse bëri diçka të lavdishme ndërsa ishte gjallë. Ai u bë i njohur në të gjithë botën, sepse zotëronte të vetmin varr të paprekur faraonik të gjetur ndonjëherë!

Tutankhamuni vdiq kur ishte vetëm 19 vjeç. Mbretëroi thuajse 10 vjet dhe nuk la pas ndonjë vepër madhore. Nuk kishte fëmijë dhe vdiq aq papritur, saqë u detyruan ta varrosnin në një varr të thjeshtë, të destinuar për një njeri me detyrë më të ulët, sepse piramida e tij nuk ishte ende gati.

Deri në ditën e zbulimit të varrit të tij, Tutankhamuni qe krejt i panjohur për historianët dhe arkeologët botërorë. Mendohet të ketë lindur në vitin 1341 p.e.r, dhe ishte djali i Faraonit Akhenaten, njërit prej figurave më të rëndësishme në historinë e Egjiptit, njeriut që u përpoq të shndërronte fenë politeiste të Egjiptianëve në një fe monoteiste. Akhenateni adhuronte Atenin, Zotin e Diellit.

Egjiptianët nuk e ndoqën kurrë besimin e faraonit Akhenaten, madje kjo ishte dhe arsyeja që e dëbuan nga froni në vitin 1332 p.e.r, pas 17 vjetësh mbretërim. Pas largimit të pavullnetshëm nga udhëheqja, në fron u ngjit i biri i faraonit, 9 vjeçari Tutankhaten, i cili me të ardhur në pushtet, gjëja e parë që bëri ishte ndryshimi i emrit nga Tutankhaten (që do të thotë – Imazhi i gjallë Atenit) në Tutankhamun, në mënyrë që të mos kishte asnjë lidhje me sektin e dështuar të të atit. Në vazhdim, u martua me Ankhesenamunën, gjysmë motrën e tij, me të cilën kishin dy vajza, të cilat vdiqën pak pas lindjes së tyre.

Duke qenë se Tutankhamuni u bë Faraon në moshë tepër të re, Egjipti drejtohej nga këshilltarët e tij, Gjenerali Horemheb dhe Veziri A. Kështu pra, nuk është e sigurt, nëse ajo që ndodhi gjatë mbretërimit të Tutankhamunit ishte rezultat i vendimeve të tij apo i këshilltarëve rrethues. Gjithsesi, atë çka nuk mund të kundërshtojë njeri është fakti që Tutankhamuni ia kushtoi jetën e tij të shkurtër adhurimit të perëndive që i ati i tij kishte “fyer”, duke shpresuar që në këtë mënyrë Egjipti, i cili ishte dobësuar ndjeshëm deri në atë kohë, do të “shërohej”. Vdiq në vitin 1323 p.e.r, nga një shkak i panjohur dhe u varros në Luginën e Mbretërve, ku ishin edhe varret e 60 faraonëve të tjerë të Egjiptit!/Lorena Stroka

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top