MAKIAVELI – MENDIMTARI I KEQKUPTUAR I POLITIKËS!

Nga Lorena Stroka
Niccolò Machiavelli, diplomati dhe mendimtari fiorentin i shekullit XV, është cilësuar si një ndër figurat më të përfolura të mendimit politik. I lindur në vitin 1469 në Firencë, jetoi në një epokë plot trazira, luftëra dhe përplasje mes principatave italiane dhe fuqive të huaja. Për dekada me radhë, Makiaveli shërbeu në administratën publike dhe udhëtoi si diplomat në oborret e princërve dhe mbretërve, ku pa nga afër ngritjet e shpejta dhe rrënimet e befasishme të regjimeve. Ai ishte dëshmitar i triumfeve të papritura, i intrigave të ndërlikuara dhe i betejave të ambicies njerëzore që shpesh vendosnin fatin e qyteteve dhe shteteve. Përmes këtyre përvojave, Makiaveli fitoi një kuptim të thellë mbi lojën e pushtetit, natyrën e dobësive njerëzore dhe mekanizmat e fshehtë që e mbajnë një sundimtar në fron. Pas largimit nga jeta politike, Makiaveli iu përkushtua shkrimit. Pikërisht atëherë lindi vepra që do ta bënte të pavdekshëm: “Princi” (Il Principe), më 1513.
Libri në fjalë, nuk është një vizion filozofik i ndërtuar mbi ideale të larta, por një manual i kthjellët, pothuajse kirurgjik, mbi mënyrën se si një sundimtar mund të fitojë, të ruajë dhe të forcojë pushtetin. Makiaveli flet me gjuhën e realitetit, nuk e shqetëson se çfarë është e drejtë apo e bukur, por çfarë është e dobishme dhe efektive. Pikërisht ky realizëm e bëri veprën e tij tronditëse për bashkëkohësit dhe mbresëlënëse për lexuesit e mëvonshëm.
Në faqet e “Princit” hasim disa nga idetë më të njohura dhe më provokuese mbi politikën. Një sundimtar, sipas Makiavelit, duhet të jetë njëkohësisht luan dhe dhelpër, i fuqishëm për të imponuar autoritetin dhe mjaftueshëm i zgjuar për të mashtruar kur rrethanat e kërkojnë. Ideali është që populli ta dojë dhe ta respektojë, por nëse duhet bërë një zgjedhje, është më e sigurt të të kenë frikë sesa të të duan. Gjithashtu, ushtria duhet të jetë besnike dhe e lidhur ngushtë me vendin, jo mercenare, sepse pa një forcë të vërtetë ushtarake, pushteti është gjithmonë i brishtë!
Një vend qendror në libër zënë konceptet e “virtù” dhe “fortuna”. Fati (fortuna) i ngjan një lumi të rrëmbyeshëm, që mund të të ngrejë lart ose të të përmbysë, nëse nuk ke ndërtuar më parë diga të forta. Ndërsa “virtù” – aftësia, guximi dhe mençuria për të marrë vendime, është ajo që i dallon sundimtarët që dorëzohen përballë rastësisë nga ata që arrijnë të marrin në dorë fatin e tyre.
Megjithatë, përtej këtij realizmi shpesh të ftohtë e cinik, në fund të veprës zbulojmë një tjetër fytyrë të Makiavelit: thirrjen e tij për unitet kombëtar. Ai u bën apel italianëve të bashkohen dhe të çlirojnë vendin nga pushtuesit e huaj. Kjo dëshmon se Makiaveli nuk ishte vetëm një analist i pamëshirshëm i pushtetit, por edhe një patriot që ëndërronte një Itali të fortë dhe të pavarur.
Kjo është arsyeja pse “Princi” mbetet aktual edhe pas pesë shekujsh. Nuk është vetëm një dritare e hapur mbi botën e Rilindjes, por edhe një mjet për të kuptuar mekanizmat e politikës në çdo kohë. Nga princërit e shekullit XV, deri te politikanët modernë dhe udhëheqësit e sotëm të biznesit, libri ngre të njëjtën pyetje të pakohë: a është më mirë të jesh i drejtë dhe të humbasësh, apo i zgjuar dhe të fitosh?
Ndoshta është pikërisht ky sinqeriteti i zhveshur, pa zbukurime, që e ktheu emrin e Makiavelit në sinonim të dinakërisë dhe cinizmit politik. Por përtej mitit të “makavelizmit”, vepra e tij na sfidon ta shohim pushtetin pa iluzione, ta shohim ashtu siç është – dhe jo siç do të donim të ishte!/AlbStroka.com
© AlbStroka.com