You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SI TË BËSH LIFTING FYTYRE ME KEFIR

SI TË BËSH LIFTING FYTYRE ME KEFIR

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Tani sapo jam zgjuar nga gjumi (vetëm në raste të veçanta çohem kaq vonë), në njërën dorë mbaj kafenë dhe me tjetrën shkruaj… Kjo puna e të shkruarit është si ajo e lëndëve të ndaluara, sa më shumë merresh me to, aq më tepër varesh prej tyre… Mirëpo në të kundërt me lëndët narkotike, të shkruarit të shplodh, të qetëson, të bën më prodhimtar, dhe mua kjo gjë më pëlqen shumë. Besoj se kështu ndihen të gjithë ata që janë tipa të lëvizshëm dhe anti-përtacë. Për shembull, unë s’e kaloj dot ditën ulur në një coffee shop pa bërë asgjë tjetër apo thjesht të vështroj vitrinat e qytetit. Më pëlqen ta organizoj kohën time, ta nis ditën me program, dhe jo të mos di se ç’më bëhet… Pasi sa më shumë kalojnë vitet, aq më të pakta do të jenë rezistencat dhe mundësitë tona për të jetësuar synimet personale… Dhe jo mos mendoni se e shndërrova faqen në kënd filozofik (dhe pse s’do ishte ide e keqe), thjesht më pëlqen të ndaj me ju ato që ndiej (deri aty ku më lejohet).

Një nga ato angazhimet e mia është dhe Kozmetologjia… Më pëlqen të mësoj teknika dhe metoda të reja lidhur me të… E konsideroj detyrë dhe respekt ndaj vetes që çdo femër të kujdeset për veten e saj (pavarësisht ngarkesave të tjera që mund të ketë). Nuk rregullohemi për të tjerët, por për veten tonë, mos e harroni kurrë këtë!

Kësaj rradhe do të flasim për përgatitjen e maskës LIFTING me kefir dhe vezë. Me plot gojën do ta cilësoja PREMTUESE! Akoma dhe brenda aplikimeve të para, vëren ndryshime të rëndësishme lëkure…

Kefiri është i pasur me kalcium, fosfor, magnez, B1, B12 dhe vitaminë C. Ndërsa veza është ideale për forcimin e lëkurës dhe ripërtëritjen e qelizave.

Përbërësit (për lëkura të thata)

1  e verdhë veze

1 lugë çaj kefir

2-3 pika vaj ulliri

Përbërësit (për lëkura të yndyrshme)

1 e bardhë veze

1 lugë çaj kefir

2-3 pika lëng limoni

Përgatitja/Përdorimi

Në një tas rrihni mirë vezën (të bardhën apo të verdhën – kjo varet nga lloji i lëkurës tuaj) dhe kefirin, pastaj shtoni pikat e vajit të ullirit ose lëngun e limonit duke i përzierë përsëri bashkë. Në vazhdim, përhapeni në fytyrë (përveç pjesës së syve) dhe në qafë. Lereni të veprojë për rreth 20-30 minuta dhe pastaj shplahuni me ujë të ftohtë. Aplikojeni 2 herë në javë./AlbStroka.com/

Shihemi pas pak…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top