You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » RRUFEJA DHE VETËTIMA

RRUFEJA DHE VETËTIMA

Përktheu: Lorena Stroka, MA in Specialised Translation

Një herë e një kohë,  mijëra vjet më parë, njerëzit kishin aftësi të shkëlqyera, që tanimë i kanë humbur. Fluturonin, shndërroheshin në kafshë, bimë etj… Ishin gjithashtu më të mirë e të ndershëm se njerëzit e sotëm. Vjedhja, ishte krejt e panjohur për ta. Nuk u shkonte kurrë ndërmend të vidhnin as gjënë më të vogël e të lirë në lagje.

Prandaj, i linin shtëpitë hapur, të sigurtë se askush nuk do t’i vidhte. Gjërat rridhnin kështu, deri ditën kur një djalë i vogël bashkë me motrën e tij hynë në një shtëpi. Brenda shtëpisë së shkretë, gjetën një lëkurë të tharë dreri dhe një çakmak të ri e të bukur. U pëlqyen aq shumë, sa bënë atë që askush deri atëherë nuk kishte guxuar të bënte: i vodhën dhe ia mbathën!

Kur mbërritën në një vend të mënjanuar, larg syve të njerëzve, nisën të luanin me sendet e vjedhura, shkrepnin  çakmakun dhe mrekulloheshin nga shkëndijëzat e ngjashme me vetëtimën. Por, për një çast, menduan të keqen që kishin bërë dhe i zuri frika… Duhej të iknin, të fshiheshin, t’i shpëtonin ndëshkimit të pashmangur, që do ish’ patjetër i ashpër. Po ku të shkonin, ku të fshiheshin? Njerëzit e fisit do i gjenin padyshim.

– “Të shndërrohemi në drerë”, propozoi djali.

– “Jo, se do na ndjekin dhe do na zënë”, tha vajza.

– “Ke të drejtë. Atëherë do bëhemi ujq”.

– “E njëjta gjë është, do na vrasin”.

– “Atëherë, le të bëhemi dhelpra… ose foka…”

Edhe pse u ziente koka nga mendimet e turbullta, prapësëprapë nuk gjenin ndonjë kafshë ose gjë që t’i shpëtonte nga ndëshkimi që i priste…

Pasi u menduan gjatë, dy fajtorëve të vegjël u shkrepi një ide…

– “Do shkojmë të jetojmë lart në qiell. Kështu nuk do të na arrijnë kurrë!”

Vërtet, ideja ishte e mirë, të shtyrë nga frika, të dy fëmijët e realizuan menjëherë. E thanë dhe e bënë: U ngjitën në qiell të maskuar në Rrufe e Vetëtime. Qysh nga ajo ditë, Rrufeja dhe Vetëtima, gjithmonë bashkë,  enden mes reve. Dhe ngaqë në të vërtetë janë veç dy fëmijë të vegjël, u pëlqen të luajnë, ashtu siç bënin dikur në tokë. Rrufeja qëllon lëkurën e tharë të drerit dhe gjëmon fort, ndërsa Vetëtima luan me çakmakun duke nxjerrë shkëndija e flakë./AlbStroka.com/

© www.AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top