You Are Here: Home » Mjekësi » DHUNA DHE FËMIJËT!

DHUNA DHE FËMIJËT!

DHUNA-DHE-FEMIJET-SHKRIM-NGA-LORENA-STROKA-GAZETARE-WIKIPEDIA-BIOGRAFIA-ALBSTROKANga Lorena STROKA

Parakusht për shëndetin mendor të fëmijëve është aftësia e prindërve për të përmbushur nevojat e tyre themelore. Përgjegjësia e prindërve është që ata të rriten në një mjedis të ngrohtë dashurie dhe sigurie. Faktorët që ndikojnë në cilësinë e kujdesit prindëror, zakonisht janë shëndeti mendor i prindërve, komunikimi mes tyre, presionet e mundshme ekonomike etj., etj.

Dashuria dhe urrejtja/agresiviteti janë dy kategori ndjenjash që ekzistojnë tek të gjithë ne. Shkrimtarë të tillë si, Frojdi, Melani apo Klain kanë formuluar një teori të guximshme, sipas së cilës, ka diçka që “funksionon” kundër interesit të njeriut. Ata folën për dualizmin e shpërthimeve të natyrshme, domethënë të instinktit të jetës dhe të instinktit të vdekjes.

Instinkti i vdekjes bëhet i dallueshëm në trajtën e sadizmit, negativitetit dhe agresivitetit. U vërejt gjithashtu, se forca për jetë, domethënë ajo pjesë e personalitetit që ka aftësinë për dashuri, zbut mekanizmin e agresivitetit.

Dhunën e hasim kudo në jetën e përditshme, në shtëpi, në rrugë, në shkollë, në punë!

  • dhunë ushtron një shtet ndaj një tjetri.
  • dhunë ushtron një grup fetar ndaj një tjetri
  • dhunë ushtron një fëmijë ndaj një tjetri
  • dhunë ushtron mësuesi ndaj nxënësit
  • dhunë ushtron burri ndaj gruas
  • dhunë ushtron prindi ndaj fëmijës

Dhunë, dhunë dhe vetëm dhunë – shumë herë e maskuar me emrin “dashuri” – “Ai që të shan/rreh dhe të do!”

Abuzimi – pakujdesia – dhuna psikologjike është një term relativisht i ri, përdorur për herë të parë në vitin 1962 nga Kempe si, “sindroma e abuzimit të fëmijëve”, për të përshkruar një problem shumë të vjetër

Të mos harrojmë faktin që deri pak kohë më parë: Dajaku rekomandohej si metodë edukimi!

Sipas shkrimeve të Platonit dhe Aristotelit, roli i qytet-shtetit përshkruhet si një prind që kujdeset dhe ndëshkon.

Në Spartë, sikurse dhe në shumë vende të tjera, kur lindnin fëmijë me aftësi të kufizuara, i vrisnin, pasi mendonin se vetëm kështu do të siguronin një shoqëri të shëndoshë.

Në zonat rurale të Indisë, pakujdesia karshi vajzave ish aq e madhe, saqë në pjesën dërrmuese të rasteve, ato vdsinin nga uria apo palarësia, me qëllim shmangien e dhënies së pajës në të ardhmen!

Në Kinë familjet braktisnin foshnjat e gjinisë femërore!

Po të bëjmë një paskthim, do të shohim se edhe në Mitologjinë Greke bëheshin kësi krmesh! Për shembull, Hera, bashkëshortja e Zeusit, për shkak të lidhjeve dashurore që ai kishte me gra të tjera, vendosi të hakmerrej duke lindur një fëmijë të jashtëligjshëm, Hefestin, i cili ngaqë ish i shëmtuar dhe i çalë,  nuk nguroi që ta hidhte nga Olimpi në det! Megjithëse, Hefesti, arriti të mbijetojë falë ndërhyrjes në kohë të Thetidës, kurrë nuk arriti të falte pashpirtësinë e së ëmës!

Sot, përkufizimi i abuzimit të fëmijëve përfshin:

  • dhunën fizike
  • të gjitha format e pakujdesisë (duke filluar nga mungesa e kujdesit themelor)
  • shkujdesjen mjekësore e arsimore për zhvillimin e fëmijës
  • mospërfilljen emocionale
  • kequshqyerjen
  • abuzimin seksual të të gjitha formave
  • abuzimin institucional

Gjithsesi, pavarësisht gjithçkaje të përmendur më lart, dhuna psikologjike vijon të ngelet një ndër format më të vështira për t’u përcaktuar. Në referencat bibliografike ajo lidhet me abuzimin fizik e seksual.

Dhuna në jetën e përditshme është kaq e zakonshme, saqë na tingëllon pothuajse normale. Ushtrohet sistematikisht përmes poshtërimit, fajësimit, terrorizimit, heqjes së indivitualitetit të fëmijëve etj., etj.

Shprehet me fjalë fyese, kërcënuese, ironike dhe zëlartë. Kjo dhunë shfaqet në momente të vështira, pikërisht atëherë kur prindërit nuk janë në gjendje të përballojnë “barrën”  e të qenët prindër!

Pierre Desproges, dikur pati thënë: “Një fjalë e keqpërdorur mund të  të poshtërojë apo të të “vrasë” pak e nga pak, pa i përlyer duart aspak.”/albstroka.com

© AlbStroka.com

 *Ndalohet kopjimi/ribotimi i shkrimit pa lejen e autores.

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top