You Are Here: Home » Gnomonologji » LYPËSI DHE ARI… (MËSIME JETE)

LYPËSI DHE ARI… (MËSIME JETE)

Shqipëroi: Lorena Stroka, Roehampton University, UK

Një lypës rrinte ulur në cepin e së njëjtës rrugë për më shumë se tridhjetë vjet. Një ditë prej ditësh para tij kaloi një i huaj.

- “Do të më japësh ndonjë lekë”, mërmëriti lypësi, duke zgjatur si gjithmonë kapelen e tij të vjetëruar.

- “Nuk kam asgjë për të të dhënë”, tha i huaji. “Por, më thuaj, çfarë është ajo mbi të cilën je ulur?”.

- “Asgjë!”, u përgjigj lypësi. “Një kuti e vjetër. Me sa mbaj mend, një jetë të tërë ulem mbi të”.

- “A e di se çka brenda?”, pyeti i huaji.

- “Jo”, tha lypësi. “Por, ç’rëndësi ka, bosh do jetë?!”.

- “Ja hidhi një sy”, këmbënguli i huaji.

Pasi e hapi me vështirësi kapakun e kutisë, lypësi s’u besonte dot syve, kur pa se ajo ishte e mbushur plot me ar…

………………………………………………..                               ……………………………………………….

Në një farë mënyrë, të gjithë jemi lypësa. Kërkojmë dashuri, dhembshuri, solidaritet dhe mirëkuptim nga të tjerët, kur në fakt, ato që marrim janë veç tepricat e tyre. Pikërisht për këtë arsye, nuk ndihemi asnjëherë të plotë dhe nuk ndalojmë së lypuri.

Dhe të gjitha këto ndodhin në çastin kur ne qëndrojmë ulur mbi thesarin më të madh të botës. Kush nuk do të bëhet lypës, di se ku të kërkojë… E di që dashurinë, dhembshurinë dhe mirëkuptimin mund t’i gjejë tek vetvetja. Dhe kur t’ia japë vetes me bollëk do të vërejë se gjithkush ka bollëkun  e vet. Pra, në vend që të japë nga e tija, duke krijuar njerëz të paaftë, të varur dhe lypësa të panumërt me kënaqësi të përkohshme, do të përpiqet t’u tregojë thesarin e tyre./AlbStroka.com/

Bëhu ti vetë njeriu me të cilin do doje të kaloje pjesën tjetër të jetës sate – dhe të jesh i sigurtë se një ditë do të gjesh gjysmë tënde…

Bëhu ti vetë shoku më i mirë i jetës sate – dhe së shpejti do të kesh shumë miqësi të vërteta.

Bëhu ti vetë prindi dhe fëmija yt më i mirë – dhe në të ardhmen do bëhesh krenar dhe i respektuar.

Bëhu TI ndryshimi që do doje të shikoje në botë – dhe do të shohësh krijimin e një shoqërie të përsosur./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top