You Are Here: Home » Gnomonologji » ZJARRI I MIQËSISË – PAULO COELHO

ZJARRI I MIQËSISË – PAULO COELHO

Shqipëroi: Lorena Stroka, Roehampton University, UK

Paulo Coelho

Aliu kishte nevojë për të holla, ndaj dhe kërkoi ndihmën e shefit të tij. Shefi, për të plotësuar kërkesën e tij, i vuri një kusht: Në qoftë se arrin të kalojë një natë të tërë në majën e një mali, do të shpërblehet me një shumë të madhe parash, por, në rast se dështon, do të punojë falas për pjesën tjetër të kohës.

Kur Aliu u largua nga dyqani, frynte erë e ftohtë. Mendimi se gjithë natën do ta kalonte majë malit në atë të ftohtë, i shkaktonte frikë të madhe. Vendosi të merrte mendimin e mikut të tij të ngushtë, nëse ish marrëzi të pranonte një sfidë të tillë.

Pasi e shkoqitën mirë e mirë çështjen, miku i tha:

- “Mos u shqetëso se do të ndihmoj unë. Nesër në darkë, kur të jesh në majë të malit, vështro drejt, përpara. Unë do të jem në krye të malit përballë. Do ndez një zjarr të madh dhe do ta mbaj ndezur deri në mëngjes. Ti vetëm shiko dhe mendo për miqësinë tonë, kjo do të mbajë të ngrohtë. Në këtë mënyrë, do t’ia dalësh të kalosh tërë natën pa problem. Në fund, do të më japësh diçka në këmbim!

Përfundimisht, Aliu arrit të fitonte bastin. Mori paratë dhe shkoi i lumtur në shtëpinë e shokut të vet.

- “Më the se për nderin e bërë doje diçka në këmbim…”.

Miku i tij u përgjigj:

- “Po, por, nuk dua para! Dua të më premtosh se në qoftë se ndonjëherë do të fryjë erë e ftohtë në jetën time, ti, do të ndezësh zjarrin e miqësisë për të më ngrohur”./albstroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2018 AlbStroka.com

Scroll to top